Radikalizimi i Bashës: “PD do të djegë mandatet, nuk bëhemi fasadë”
Edhe tani alibitë për të mos ta hedhur këtë hap radikal janë të shumta: “nuk do LSI”, “nuk na binden aleatët e vegjël”, “mund të mos e dorëzojnë të gjithë deputetët personalisht në KQZ”, “na bëjnë presion ndërkombëtarët”, “Rama do ta dyndë kuvendin me opozitarë fallco”, etj. Dhe të gjitha këto mund të shërbejnë që opsioni “djegie mandatesh” të përdoret vetëm si një karrem për të gënjyer protestuesit e të enjtes e pastaj të tretet si kripa në ujë. Që kjo të mos ndodhë, që në PD mashtrimi të mos bëhet rregull, kreu i saj nuk duhet të mjaftohet vetëm me një propozim për forumet e partisë. Ai duhet t'i tregojë publikut edhe hartën e rrugës. Ai është i dënuar të thotë se kur do ta hedhë këtë hap, kur do t'ia shtrojë për diskutim atyre forumeve, që as nuk i përfilli kur bëri listën e deputetëve, madje duhet të shkojë edhe më larg: diskutimi dhe votimi për këtë akt me interes publik, duhet bërë i hapur, transparent, me kamera në sallë dhe për të gjithë shqiptarët. Vetëm kështu njerëzit mund të fillojnë të besojnë se ky propozim nuk është manovra e radhës sa për të mbledhur mitingashë për të enjten (siç u tha të shtunën: Ejani se do rrëzojmë Ramën). Vëtëm kështu ky vetësakrifikim ekstrem, por i domosdoshëm i opozitës, mund të marrë trajta serioze, larg të qenit një fabul, me të cilën bën humor para kamerave Taulant Balla. Që demokratët mos vazhdojnë t'i fryjnë kosit, Basha nuk duhet të mjaftohet vetëm me përbetimin, por duhet edhe të tregojë si do ta realizojë atë. ©Lapsi.al